Trajneri i Vllaznisë në boks, Zef Gjoni, ka shprehur keqardhjen për dhunën e shfaqur ndaj tre gjyqtarëve post-finales së peshës 69 kg për Kupën e Shqipërisë, ku në ring u ngjitën Asmer Bilali i Vllaznisë dhe Xhulio Vrenozi i Apolonisë. Ndërsa e quan si të patolerueshme incidentin dhe të parin të ndodhur në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi”, në qytetin e Shkodrës, Gjoni theksoi se sipas tij fitorja në atë takim i takonte boksierit Bilali.
“Më vjen shumë keq për aktet e dhunës që ndodhën pas finales pas vendimit të gjyqtarëve. Në gjykimin tim fitorja i takonte Bilalit, por nuk protestova për verdiktin e arbitrave. Më pas ndodhi ajo për çka u bëmë dëshmitarë të gjithë. Realisht aktiviteti nuk duhej të niste në mungesë të policisë dhe ambulancës. Kjo e fundit ishte edhe më e domosdoshme, duke qenë se tashmë boksohet pa kaska dhe dëmtimet janë të pritshme në radhët e sportistëve. Në dijeninë time policia ishte njoftuar zyrtarisht nga klubi ‘Vllaznia’, por atë ditë nuk u pa asnjë prezencë e uniformave blu. Nëse ata do të ishin, patjetër që rasti në fjalë edhe mund të evitohej. Gjyqtarëve u kërkova falje, pasi një situatë nuk duhej të ndodhte. Në memorien time nuk mbaj mend që të ketë pasur skena dhune në aktivitete, veçanërisht në Shkodër dhe ku keqardhja është e dyfishtë. Debate e protesta ka pasur, por jo deri këtu”, – deklaroi trajneri Gjoni, i cili shtoi se në ditët në vijim është parashikuar një turne miqësor mes boksierëve më të mirë të Vllaznisë dhe Tiranës për të dëshmuar se boksi përcjell vetëm “fair play”.