Mbledhja e fundit e kryesisë së Federatës Shqiptare të Boksit e zhvilluar pak ditë më parë është shoqëruar nga një debat i fortë në mes anëtarëve të kryesisë dhe presidentit të saj Gjergj Leqejza. Ajo ka patur në rendin e ditës ndarjen e grantit të ardhur nga Ministria për vitin 2015 por me t’u hapur mbledhja, shumica e anëtarëve të kryesisë i kanë dorëzuar presidentit një peticion për largimin e tij. Një lajm i tillë në fakt ka kaluar në heshtje deri ditën e djeshme kur ka qenë trajneri i Vllaznisë Zef Gjoni që në një konferencë për shtyp, ka shpjeguar gjithçka po ndodh në boksin shqiptar. “Ne jemi në pritje të zhvillimeve të reja në Federatë sepse në mbledhjen e kryesisë së pak ditëve më parë, shumica e anëtarëve të saj kanë vendosur për shkarkimin e presidentit Leqejza. U bë kohë që diskutohet kjo gjë. Ia kemi kërkuar edhe miqësisht të jepte dorëheqjen por ai nuk pranoi. U firmos peticioni me firmat e 11 klubeve dhe shoqatave që përbënin 75-80 për qind të gjithë anëtarëve të boksit për të kërkuar largimin e tij por ai e injoroi një peticion të tillë. Presidenti pikërisht për të shmangur përballjen me komunitetin e boksit që nuk e do, nuk ka zhvilluar as Asamblenë e Zakonshme vjetore të Federatës kur të gjitha Federatat e tjera e kanë bërë një gjë të tillë. Ka patur frikë nga kjo gjë dhe e ka shtyrë. Por pak ditë më parë në mbledhjen e kryesisë ku ishin mbledhur për të ndarë fondet e këtij viti, pesë anëtarë të kryesisë fillimisht dhe më pas edhe një i gjashtë, i kanë paraqitur atij peticionin e largimit dhe sipas statutit të Federatës, presidenti në këtë rast është i shkarkuar sepse nga 8 anëtarët e kryesisë, 6 janë kundër tij. Në këto kushte, tashmë presim vetëm thirrjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme për të zgjedhur presidentin e ri”- ka thënë Gjoni. Në fakt duket disi e pakuptimtë që një trajner të dalë kundër presidentit të Federatës por “lufta” mes tij dhe presidentit aktual Leqejza ka kohë që ka nisur. Ky i fundit e ka thënë hapur se nuk dëshiron të largohet dhe po bën çmos të injorojë çdo peticion të firmosë ndaj tij. I pyetur nëse do dështojnë edhe në këtë tentativë të dytë për ta shkarkuar, trajneri Gjoni ka thënë: “Nuk mund të dështojmë. Shumica e komunitetit të boksit është kundër tij. Ai nuk ka mbajtur asnjë premtim në këto tre vite që është president. Ka thënë se në vitin e parë do sponsorizonte 10 milionë lekë por ka hedhur zero lekë. Ka thënë se në vitin e dytë do hidhte më shumë por ka hedhur zero lekë, ka thënë se në vitin e tretë do hidhte sërish më shumë, por sërish zero lekë. Në këto kushte, kur unë kam qenë njeriu që e kam propozuar duke qenë edhe njëfarë garanti i këtyre premtimeve të tij, tashmë që nuk i ka mbajtur, jam unë i pari që kam kërkuar largimin e tij. Ai tashmë është i larguar. Në Asamblenë e Jashtëzakonshme do jenë kandidatët e tjerë që do vijnë, do bëjnë premtimet e tyre dhe kush do të fitojë, do të shkojë tek noteri për të nënshkruar deklaratën për atë se çfarë do sponsorizojë për këtë sport. Edhe zoti Leqejza mund të kandidojë nëse gjen klub që e propozon por nuk besoj se ka për të fituar sepse nuk gëzon më mbështetjen e askusht”. Tashmë priten zhvillime të tjera. Thuhet se brenda 10-15 ditësh do mblidhet Asambleja por kjo ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Një gjë është e sigurtë. Boksi shqiptar për momentin nuk po gjen qetësi dhe sigurisht që duhen ndryshime.
Gjergj KOLA