Gjykata e Tiranës e ka liruar nga izolimi policor futbollistin e Partizanit, Alban Hoxha. Në seancën e zhvilluar sot për masën e sigurisë, portieri i të kuqve dhe i kombëtares shqiptare është lënë me “detyrim paraqitjeje” nga togat e zeza. Pra, ka lënë qelinë e komisariatit dhe mund të kthehet në stërvitje me shokët e skuadrës, duke nisur nga dita e sotme.
Mbetet për t’u parë nëse klubi do të marrë ndonjë masë tjetër ndaj tij, por duke parë se në prag është derbi i madh i kryeqytetit me Tiranën, roli i kapitenit në portë bëhet i domosdoshëm.
Xhika, siç u pa edhe në transfertën vlonjate, në rastin e pësimit të golit nga Bushic, nuk jep shumë garanci në portë, kështu që trajneri Skënder Gega dhe stafi i tij teknik do të bëjnë çmos që ta kthejnë në gjendje pune Hoxhën, duke besuar se ai mund të japë kontributi tij në derbin e së premtes ndaj Tiranës.
Arrestimi – Portieri i Partizanit është kapur në flagrancë, para katër ditësh, teksa drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur, pasi e kishte kaluar masën 0.51 mg/l.
Sipas asaj që parashikonte ligji, Hoxha duhej të qëndronte 72 orë në paraburgim (kjo vlen për të gjithë ata që kapen duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur), për të dalë sot nga qelitë dhe për t’u ndjekur penalisht në gjendje të lirë.