Ditën e djeshme në Zvicër është zhvilluar seanca e parë e gjyqit të hapur nga futbollisti shkodran Arsid Kruja ndaj klubit arab Al Hajer. Ka qenë seanca e ballafaqimit në mes tij dhe përfaqësuesve të klubit arab. Përfaqësuesit e FIFA-s i kanë kërkuar futbollistit nga Shqipëria të jetë prezent të zhvilluar ditën e enjte në Gjenevë të Zvicrës. 24 vjeçari shkodran që aktualisht luan për Vllazninë, i ka kërkuar drejtuesve të klubit kuqeblu leje për të qenë i pranishëm në këtë gjyq.

Për këtë arsye, ai nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Gjoka për ndeshjen ndaj Partizanit. Sa i takon gjyqit të zhvilluar dje, mësohet se përfaqësuesit e Komisionit të Disiplinës i kanë kërkuar Arsid Krujës dhe avokatit të tij paraqitjen e të gjitha provave kundër klubi Al Hajer. Siç dihet, në janar të vitit 2015, lojtari pat firmosur për këtë skuadër një kontratë për 3 vite e gjysëm por që asnjëherë nuk u zbatua. Fillimisht lojtari u huazua për gjashtë muaj tek Flamurtari i Vlorës, periudhë për të cilën arabët nuk i kanë bërë pagesën e shtesës së rrogës sipas marrëveshjes përkatëse dhe më pas, u huazua tek Laçi por sërish në adresë të tij nuk ka patur asnjë pagesë. Në këto kushte, Arsid Kruja iu drejtuar FIFA-s për ndërprerjen e kontratës por edhe kërkesën për dëmshpërblim sepse ai nuk ka marrë asnjë dollarë nga kontratë që pat firmosur me këtë klub. Vendimi përfundimtar në lidhje me këtë çështje pritet të dalë pas pak kohësh dhe natyrisht që pritet dhënia e të drejtës për futbollistin shkodran nga FIFA.

www.shkodrasport.com