Në komunikatën që ka shpërndarë klubi përmes faqes së tij zyrtare në internet, kuptohet qartë se të gjithë pjestarët e pranishëm në analizën e djeshme, nuk kanë qenë aspak dakord me ecurinë e skuadrës dhe madje, kritikat kanë qenë shumë të larta si për stafin drejtues ashtu edhe për lojtarët. Por nëse për lojtarët është thënë se do “kalohen në sitë” të gjithë, në këtë komunikatë nuk ka patur asnjë fjalë për trajnerin Duro.
Në fakt, administratori Gjyrezi pas ndeshjes së fundit me Kastriotin u pat shprehur në media se do analizohet me hollësi edhe puna e trajnerit dhe e lojtarëve, madje duke u shprehur hapur se Duro rrezikonte shumë. Edhe kryebashkiaku Luka po ashtu në prononcimin e djeshëm për “Shkodra Sport” do të shprehej se do analizohej gjithçka dhe në fund do vendosej për trajnerin dhe lojtarët. Mospërmendja në asnjë rresht e të ardhmes së trajnerit, në komunikatën e klubit, lë shumë pikëpyetje megjithatë ai që ka sqaruar disa gjëra për të ardhmen ka qenë administratori Fatos Gjyrezi I cili për gazetë tonë do të shprehej: “Në analizën e dytë që do të zhvillojmë të premten, do të jemi të gjithë sëbashku ashtu siç kemi qenë edhe sot (dje). Do dëgjojmë projektin e trajnerit se ku mendon të shkojë, cilët lojtarë duhet të largohen dhe cilët të afrohen dhe në fund, në bazë të këtij projekti, nëse do jetë bindës apo jo, do vendosim edhe për të ardhmen e trajnerit Duro. Pra, asgjë nuk ka përfunduar në këtë mes. Mbledhja tjetër do të përcaktojë gjithçka që ka të bëjë me të ardhmen e Vllaznisë”.
www.shkodrasport.com