Mosnjohja e titujve të luftës nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk do kalojë lehtë nga ana e klubeve të Tiranës dhe Vllaznisë të cilët kërkojnë të përfitojnë dy dhe një tituj kampion nga ato të viteve 1939, 1940 dhe 1942. Vendimi për njohjen e tyre nuk është marrë fare në shqyrtim në Asamblenë e Federatës të zhvilluar dje në Tiranë.


Por administratori i klubit Vllaznia dhe ai i Tiranës kanë kërkuar me ngulm njohjen e tyre sepse janë kampionate të rregullta dhe nuk ka shumë rëndësi kush i ka zhvilluar, duke kundërshtuar jo pak argumentat që kanë nxjerrë juristët e Federatës për moskompetencë në njohjen e tyre. Megjithatë administratori i Vllaznisë Fatos Gjyrezi ka deklaruar se kjo çështje nuk do të mbyllet këtu. Ai ka bërë të ditur se dy klubet do t’i drejtohen Ministrisë së Sporteve për këtë çështje dhe nëse është nevoja edhe në gjykatë. Njohja e titullit të fituar gjatë luftës, do të bënte që Vllaznia tashmë të kishte jo 9 por 10 tituj kampion dhe për rrjedhojë në fanellën e  saj tashmë do kishte edhe një yll (vendoset kur bëhen 10 tituj të fituar nga një skuadër). Tashmë duhet të presim se çfarë do ndodhë, nëse institucionet e tjera do t’i japin të drejtë këtyre klubeve apo jo.

 

www.shkodrasport.com