
Pikët e lëna ndaj Laçit sikur kanë sjellë një gjendje aspak të mirë në kampin shkodran megjithatë çdo gjë u harrua në njëfarë mënyre sepse të gjithë tek Vllaznia e kanë patur mendjen tek shëndeti i Gurishtës. Megjithatë pas lajmeve të mira të marra në lidhje me gjendjen e tij, në kampin shkodran kanë nisur të mendojnë për sfidën e rradhës, atë që do të luhet ditën e shtunë ndaj Kukësit. Edhe ky takim do të zhvillohet në “Reshit Rusi” dhe ky është një faktor që duhet shfrytëzuar në maksimum. Duke folur për mediat, administratori Astrit Gjyrezi është ndalur tek takimi ndaj kukësianëve për të cilin ka thënë: “Kjo është një tjetër ndeshje e vështirë. Ndoshta edhe më shumë sesa ajo me Laçin megjithatë objektivi i Vllaznisë nuk ndryshon as këtë herë. Do hyjmë në fushë me objektivin e vetëm për të marrë fitoren. E dimë që nuk do të jetë e lehtë megjithatë të shpresojmë që skuadra jonë do të bëjë më të mirën në fushë dhe do të marrim tre pikët që do të na vlejnë shumë për ecurinë e mëtejshme në kampionat”. Numri 1 i klubit kuqeblu ndërkohë flet edhe për mbështetjen që klubi po i jep skuadrës si në plotësimin e të gjitha kushteve për stërvitje dhe akomodim por edhe mbështetjen me premio dhe një të tillë e ka premtuar edhe për takimin e rradhës. “Jemi munduar t’ia plotësojmë të gjitha kushtet ekipit. E kemi grumbulluar atë para çdo ndeshje ndërkohë që po merremi edhe me futbollistët që kanë probleme dëmtimesh. Falë marrëveshjes që kemi bërë me spitalin “Salus”, besoj se do të kalojmë edhe problemet që kemi me disa lojtarë në mënyrë që ata t’i kemi gati për ndeshje. Po ashtu, mund të konfirmoj edhe faktin tjetër se edhe për fitoren me Kukësin, ekipi do të ketë përsëri premio”- ka thënë ai.
© shkodrasport.com