Pas lajmit të publikuar ditën e djeshme në lidhje me gjyqin e hapur nga kompania zviceriane “Gea Sport” ndaj Bashkisë Shkodër dhe klubit Vllaznia për prishjen e njëanshme të kontratës nga ana e tyre, ka reaguar sot administratori i klubit shkodran Astrit Gjyrezi. Në një prononcim për mediat ai ka thënë: “Realisht ekziston një çështje e tillë por nuk janë ato shifra që përmenden por gjithsesi klubi Vllaznia dhe Bashkia kanë mbajtur qëndrimin e vet. Kemi filluar edhe ne kundërshtimin për kërkesën e tyre që është absurde duke bërë hapin e parë marrjen e një studio ligjore e cila do ta ndjekë hap pas hapi këtë çështje. Kompania zviceriane nuk ka bërë asnjë investim në klubin Vllaznia dhe ky është një gur i fortë në anën tonë dhe tani do ia lëmë etapave të mëtejshme të gjyqit. Përderisa po shkojmë drejt një procesi të tillë, sigurisht që ne po bëjmë përgatitjen tonë. Nuk mund t’i bëjmë publike faktet dhe mënyrat si do të mbrohemi por duke u ndalur tek kushtet e kontratës së nënshkruar,moszbatimin e saj nga pala zviceriane dhe këto fakte do përdoren natyrisht për të mbrojtur interesat tona. Po përballemi me çështje që ndoshta duhej t’i kishim zgjidhur të tjerë persona. Unë personalisht që nga momenti që kam marrë këtë detyrë, në janar të këtij viti, kam bërë maksimumin për zgjidhjen e kontratave me lojtarët që kemi larguar në mënyrën e duhur dhe me mirëkuptim. Për këtë periudhë jap garancinë maksimale se klubi nuk do të ketë asnjë detyrim ndaj askujt për çështje të tilla. Për periudhat e mëparshme, unë nuk mund të prononcohem sepse nuk kanë qenë praktika të cilat unë i kam ndjekur”. Tashmë është e qartë: Procedurat sapo kanë nisur. KF Vllaznia në fakt ka hedhur hapin e parë të kundërshtimit të qendrës që është duke u marrë me këtë çështje sepse nuk është e parashikuar në kontratë një gjë e tillë. Se çfarë do të ndodhë më pas, të presim!

© shkodrasport.com