
Në kampin bardheblu janë të bindur se ka ardhur momenti për të gjetur fitoren e shumëmunguar këto javët e fundit, por në fakt këtë gjë kërkojnë edhe në kampin kuqeblu. Administratori i klubit Astrit Gjyrezi, në një dalje publike, ka bërë të qartë se objektivi për takimin e sotëm është vetëm fitorja. “Ekipi është i karikuar maksimalisht. Këto janë momentet më të bukura të Vllaznisë. Mendoj dhe duhet që të marrim maksimumin në Tiranë. Kjo sepse një fitore në këtë ndeshje, do të thoshte shumë për ekipin tonë, sepse do të na poziciononte në vendet lart në renditje”- është shprehur ai. Dalëngadalë sezoni po shkon drejt fundit dhe shumë ekipe mund të kenë filluar të bëjnë plane për sezonin që vjen më pas. I pyetur nëse edhe tek Vllaznia kanë nisur të mendojnë për këtë gjë, Gjyrezi shprehet: “Tek Vllaznia kemi filluar të mendojmë për sezonin e ri. Për këtë arsye, edhe në mbledhjen e sotme të Asamblesë që nuk u zhvillua, këtë gjë kishim prioritet: të diskutonim atë se çfarë do të bënim për sezonin e ardhshëm”. Meqë planet kanë nisur, kuptohet se ka edhe një dilemë se kush do të jenë pjesë e kuqebluve në sezonin e ri? Administratori e ka të qartë një plan paraprak kur thotë: “Një gjë është e sigurtë: Baza e Vllaznisë do të jetë me shkodranë, me lojtarë të dalë nga Akademia,të cilët i kanë qëndruar besnik këtij ekipi. Ky ka qenë edhe qëllimi i krijimit të ekipit B, në mënyrë që lojtarët e rinj të mos shpërndahen nëpër ekipe të tjerë por të jenë tek Vllaznia dhe të bëhen gati për ekipin e parë. Ne po punojmë fort dhe besoj se projektet tona për të ardhmen janë shumë serioze”.
