Ndriçim Shtubina është një nga futbollistët kryesor tek klubi i Vllaznisë. Mesfushori 32 vjeçar njihet për cilësitë e tij teknike dhe ndër vite ka patur një karrierë për tu patur zili nga futbollistët e rinj.
I rikthyer tek Vllaznia pas aventurës me Laçin, Shtubina ka marr “për dore” shkodranët në shumë ndeshje të këtij kampionati. Në sfidën e fundit ndaj Skënderbeut në Korçë, ishte pikërisht mesfushori shkodran i cili me anë të një rovëshate i dha fitoren Vllaznisë.
Klubi shkodran ndodhet në vendin e 5-të të renditjes me 23 pikë dhe tashmë presin në “Loro Boriçi” vendin e parë Kukësin. Teksa klubi kuqeblu në transfertë është një nga ekipet që ka marrë më shumë pikë, në shtëpi tifozët fitoret i kanë me pikatore.
Ndriçim Shtubina në një intervistë ekskluzive për “Newsport.al”, ka treguar më shumë për mënyrën e lojës së shkodranëve, pritshmëritë, merkaton dhe situatën e tij në klub.
Si është situata te Vllaznia? Keni dy fitore radhazi dhe jeni në mesin e tabelës.
– Jemi në një moment të mirë. Skuadra ka harmoni, kemi super me djem të mirë. Kam besim se do e mbyllim mirë këtë fazë.
Në transfertë luani me mirë se në shtëpi. A ka ardhë momenti që të ktheni rezultatet pozitive ne “Loro Boriçi” që në ndeshjen me Kukësin?
– Po është e vërtetë që jashtë luajmë më mirë sepse e presim kundërshtarin pastaj dalim në sulm shpejt. Ndërsa në Shkodër është ndryshe sepse tifozët duan lojë dhe rezultat, por ne jemi më të fort me kundërsulm.
Cila është më e rëndësishme, loja e bukur për të kënaqur tifozët dhe në fund humbja apo një lojë në mbrojtje dhe me kundërsulme por në fund fiton pikët?
– Besoj se edhe tifozët do të jenë të kënaqur me shumë me pikët sesa lojë të bukur dhe pa pikë.
Merkato e janarit po afron. Do të ketë afrime për të përforcuar skuadrën?
-Mesa di unë drejtusit janë duke punuar për të afruar lojtarë që na duhen. Një sulmues na duhet.
Ndaj Skënderbeut realizove një “perlë”. Kur do ta shohim sërish një supergol prej teje?
– Deri dje isha një plak i mbaruar, sot jam një gjysh spektakolar. (qesh)/newsport/