Partizani do presë Vllazninë në javën e 21-të të kampionatit. Ndeshja do zhvillohet ditën e shtunë në orën 16:45, në stadiumin “Air Albania” . Takim që i gjen kryeqytetasit në një formë shumë të mirë, kur prej 3 ndeshjesh rradhazi njohin vetëm fitore mes kampionatit e kupës. Triumfet në kampionat kundër Skënderbeut dhe Teutës, si edhe fitorja kundër Dinamos në kupë kanë ngritur humorin në kampin e kuq.

Patjetër që sfida nuk do jetë aspak e lehtë për shkodranët kundër “demave”. Cilësitë tek Partizani patjetër që nuk mungojnë pavarësisht se ekipi nuk është aty ku pritej në fillim të sezonit. Tek 16 herë kampionët e vendit ka disa futbollistë që në të shkuarën i kanë shënuar Vllaznisë dhe i njohin mirë shkodranët.

Duke filluar nga mbrojtja, ku është Eneo Bitri i cili në sezonin 2018-19, në javën e 17-të të kampionatit do i jepte një triumf 1-0 Partizanit kundër Vllaznisë. Në mesfushë janë disa emra interesantë si: Sherif Kallaku që me skuadrën e Teutës do shënonte kundër Vllaznisë në çerekfinalet e kupës në sezonin 2018-19. Po ashtu Esat Mala, në një fitore të Partizanit në shifrat 3-0 para dy sezonesh do gjente golin kundër kuqebluve.

Arinaldo Rrapaj gjeti golin kundër Vllaznisë në ndeshjen e fazës së parë, ku Partizani dhe Vllaznia ndanë një barazim mes tyre në shifrat 1-1. Vlonjati shënonte thuajse në limitet e takimit. Xhuliano Skuka, sulmuesi që po spikat së fundmi gjithashtu ka shënuar këtë edicion kundër Vllaznisë, por me fanellën e Dinamos në humbjen 6-3 të dinamovitëve kundër Vllaznisë.

Të gjithë këta futbollistë pritet të jenë titullarë në sfidën kundër Vllaznisë. Pra një gjysmë formacioni që i ka shënuar shkodranëve në të shkuarën dhe tashmë lind detyra për të gjithë tek shkodranët që të marrin masat për një rezultat pozitiv në kryeqytet.
Endri ÇINARI