Pjesa e parë e sezonit 2022-23 u mbyll këtë javë më ndeshjet e javës së 15-të të Superiores. Vllaznia e mbylli këtë vit 2022 me një fitore 4-0 kundër Teutës. Sukses që patjetër i dërgon kuqeblutë në humorin e duhur në pushimet dimërore. Por patjetër që të gjithë presin më shumë nga kjo skuadër. Ku me 22 pikë momentalisht ndodhet në vendin e 5-të.
7 më pak se Partizani i vendit të parë dhe që e mbylli në kryesim këtë vit. Por edhe tek kuqeblutë pavarësisht luhatjeve ka pasur edhe gjëra pozitive gjatë kësaj periudhe.
E para është se ndeshjet shtëpiake janë pika e fortë e Vllaznisë. Ekipi ka grumbulluar 13 pikë në 7 ndeshje shtëpiake. Duke e shndërruar kështu në një fortesë të vërtetë “Loro Boriçin” dhe në një pikë të fortë të skuadrës.
Po ashtu pozitiv ka qenë fakti se të rinjtë këtë sezon kanë pasur mundësinë të shfaqin vlerat e tyre. Kështu Rejan Alivoda ka rezultuar një zbulim tek shkodranët e ndërsa shansi i është dhënë edhe Smajlit, ndërsa një të tillë mund të presin edhe Spahija, Pjeshka apo edhe Delaj.
Po ashtu afrimet e merkatos verore si: Boshnjaku apo Mala kanë rezultuar shumë të qëlluara. E ndërsa një notë pozitive ka patjetër edhe për Markun e Juriç që me performancat e tyre kanë qenë të rëndësishëm për shkodranët.
Një tjetër fakt pozitiv është se ekipi e mbylli me fitore dhe kreu nuk është edhe aq larg, duke qenë se ndeshja pas kthimit nga pushimet do jetë direkte me Partizanin.
Patjetër që aktualisht është luajtu vetëm gjysma e edicionit dhe skuadra ka shumë për të përmirësuar. Me fillimin e kampionatit në vitin 2023, tifozët presin që ekipi të tregojë vlerat reale dhe të jetë në vendet e para të renditjes. E po ashtu të bëjë të pamundurën për të sjellë në Shkodër titullin kampion. Titull që mungon që nga sezoni 2000-01.
Endri ÇINARI