Nga Endri ÇINARI
Vllaznia e mbylli vitin kalendarik 2024 me një humbje ditën e premte në shifrat 2-0 ndaj Partizanit. Disfatë që erdhi në transfertë e patjetër nuk e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme këtë vit për kuqeblutë. Që gjithsesi momentalisht qëndrojnë komodë në top katërshe. Ku kanë grumbulluar 31 pikë duke mbajtur kështu vendin e tretë.
E në këtë mënyrë duke krijuar një distancë sigurie prej 6 pikësh me Elbasanin e vendit të pestë. Shkodranët gjatë 19 javëve të zhvilluara deri më tani në këtë edicion po ashtu kanë treguar se dinë të shënojnë. Në kuotën e 29 golave të shënuar, ata janë ekipi i dytë më i mirë përsa i përket kësaj statistike pas 19 raundesh në Superiore.
Më shumë se kuqeblutë ka shënuar vetëm Dinamo me 30 gola. Me blutë që parakaluan shkodranët vetëm në javën e fundit, pas fitores 2-1 ndaj Egnatias. Por, nëse Vllaznia shënon shumë, ajo po ashtu pëson shumë gola. Duke u shfaqur në këtë mënyrë një skuadër jo e balancuar dhe që ka treguar distabilitet gjatë këtij sezoni në prapavijë.
Kjo pasi shkodranët kanë pësuar 25 gola në 19 javë të zhvilluara. Duke qenë kështu ekipi i tretë më i ndëshkuar në kampionat. Ku më keq se kuqeblutë kanë bërë vetëm Bylis dhe Skënderbeu me 26 gola të pësuar. Me ekipet e lart përmendura që momentalisht ndodhen në dy vendet e fundit në kampionat./www.shkodrasport.com/