Lezha e futbollit ka nxjerrë shumë talente, por edhe futbollistë që kanë kontribuar jo vetëm për të lauruar fanellën lezhjane por edhe futbollin shqiptar: Bledar Kola, Vasil Bici, Nefail Zhejani, Fehmi Rama, Gjergj Filipi, Julian Gjeloshi, apo dhe Henri Ndreka, janë lezhjanët që kanë veshur fanellën kuqezi…

Por, në Lezhë, skuadra ka vite që enden në Inferiore, sigurisht me dëshirën e madhe për t’u rikthyer në elitë. Katër vite më parë shkuan deri në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ndërsa edhe këtë vit, lezhjanët me Elvis Plorin një trajner apasionant që s’lodhet së punuari dhe që e njeh mirë këtë kategori, apo me mbështetjen e presidentit Gjok Noka, kanë synime madhore sërish.

Në Kupë, por më shumë në kampionat, duke vijuar me futboll të pastër, siç edhe thotë Noka. Por, ajo që të bën jo pak përshtypje është stadiumi. Nëse Besëlidhja e fushës ka ambicie, në infrastrukturë lë shumë për të dëshiruar dhe këtu është radha e Bashkisë, që t’i ndryshojë imazhin…për futbollin dhe qytet, por edhe në nder të brezave që kanë dhënë shumë për topkëmbën në Lezhë, apo dhe atyre të rinjve që duan të vijojnë ëndrrën.

Sepse Lezha për atë që i ka dhënë futbollit e meriton një impiant, ndryshe, pa thënë se në të nuk është vënë dorë që në vitin 1968! Janë investuar në shumë fusha, qoftë me bar artificial e bar natyral, në çdo fshat e qytezë të vendit, e madje janë vënë edhe drita, ndaj edhe Lezha meriton vëmendje, sepse në “tortën” kuqezi, edhe lezhjanët kanë pjesën e tyre!/Vipsport/