Gjysmëfinalet e kampionatit kombëtar të 18 vjeçarëve që po zhvillohet në Shkodër, nuk kanë shkuar krejt ashtu siç pritej për boksierët e Vllaznisë. Ky ekip kishte nxjerrë plot 8 boksierë në gjysmëfinale, më shumë se çdo ekip tjetër, por katër prej këtyre boksierëve janë mundur. Kështu, në peshën 49 kg Klodian Shpendi është mundur nga Ervin Dervishllari i Apolonisë. Në peshën 60 kg, Rexhildo Zeneli i Vllaznisë ka fituar ndaj Ervin Mzhikës së Eneas me rezultatin 8-5. Në peshën 64 kg Erald Mukja i Vllaznisë ka fituar ndaj Albion Myftarit të Dardanisë me nokaut. Në peshën 69 kg Gjon Nika i Vllaznisë ka fituar 11-10 ndaj Xhulio Mones së Apolonisë. Me fitore e ka mbyllur ndeshjen e tij në peshën 81 kg edhe Syrja Marinaj ndaj Muharrem Cimilit të Apolonisë me rezultatin 12-9. Ndërkohë në dy peshat e fundit, atë 91 dhe +91 kg, boksierët e Vllaznisë Fisnik Muharremi dhe Kristi Frroku janë mundur nga Indrit Laçi i Teutës dhe nga Sotir Dyrmishi i Apolonisë. Në bazë të këtyre rezultateve të arritura sot, nga Vllaznia të drejtën për të boksuar në finalet e nesërme që do nisin në orën 11.00 e kanë fituar Rexhildo Zeneli, Erald Mukja, Gjon Nika dhe Syrja Marinaj. Ndërkohë, ekipi me më shumë sportistë në finale është Apolonia me 5 të tillë dhe për titullin kampion duket se do vendoset vetëm pas ndeshjes së fundit të këtyre finaleve. Gjergj KOLA
Boksieri i Vllaznise Syrja Marinaj duke u pershendetur me trajnerin Jozef Sermi pas fitores se sotme