Ka ndryshuar orari për ndeshjet gjysmëfinale të Memorialit të 10-të ndërkombëtar “Vllaznia 2013” që po zhvillohet në Shkodër. Nëse ditën e djeshme ndeshjet kanë nisur në orën 15.00, sot do të nisin 60 minuta më vonë. Kjo ngaqë edhe numri i ndeshjeve është më i vogël megjithatë pallati i sportit “Qazim Dervishi” për rreth 5 orë sot do të jetë i mbushur me sfida interesante boksi. Këtë pasdite pritet që edhe numri i sportdashësve të jetë më i madh ngaqë ndeshjet janë më interesante. Kombëtarja shqiptare deri më tash duket në rrugë të mbarë për të nxjerrë disa sportistë në finale. Nga 9 boksierët e saj që do kenë ndeshje sot, e sigurtë duket që tre ose katër prej tyre të shkojnë në finale. Shpresat më të mëdha janë për Rexhildo Zenelin në peshën 56 kg, Kristian Shytanin në peshën 64 kg, Xhulio Vrenozin në peshën 69 kg, Bekim Vjerdhën në peshën 75 kg, Kristian Demën në peshën 81 kg dhe Nelson Hysën në peshën +91 kg. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të kenë sukses edhe Fatjon Arapi, Esild Kalemi dhe Anxhelo Merkohasanaj. Koefiçenti i vështirësive për ndeshjet e sotme do të jetë shumë më i madh sepse kundërshtarët e boksierëve tanë do jenë shumë të kombëtares ruse, por edhe të tjerë të Bullgarisë, Italisë apo dhe Skocisë e Australisë.Megjithatë shpresat janë të mëdha për të tjerë ballafaqime dinjitoze të pjestarëve të kombëtares shqiptare për ta mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë Memorial të 10-të ndërkombëtar të boksit.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)