Federata Shqiptare e Volejbollit, përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në “Facebook” ka bërë me dije se faza gjysmëfinale dhe ajo finale e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet më datat 2-4 mars. Kështu ndeshja Vllaznia- Studenti do të luhet më 3 mars dhe në rast fitoreje, ekipi shkodran do të sigurojë të drejtën për të kaluar në finalen që do të zhvillohet një ditë më pas. Për t’u mësuar është vetëm vendi se ku do të zhvillohet kjo fazë, por gjasat janë që takimet të luhen në sallën sportive “Feti Borova” në kryeqytet.

Në dhjetor, në Tiranë e Durrës, u luajtën ndeshjet eliminatore të këtij eventi, ku dhe u përcaktuan skuadrat më të mira. Pas ndeshjeve në grupe, në fazën gjysmëfinale për femra u kualifikuan skuadrat e Barleti Volej, Teuta, Partizani dhe Tirana. Ndërsa për meshkuj, katër ekipet gjysmëfinaliste janë Studenti, Partizani, Vllaznia dhe Tirana. Fituesi i Kupës do të përcaktohet në mesin e fazës së dytë të kampionatit.

Kupa e Shqipërisë – ½ finale Femra
Barleti Volej – Teuta
Partizani – Tirana

Kupa e Shqipërisë – ½ finale Meshkuj
Partizani – Tirana
Vllaznia – Studenti

© shkodrasport.com