Ndeshja e parë gjysmëfinale e play off-it të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Vllaznisë dhe Klubit Tirana do të zhvillohet ditën e premte datë 12 prill. Klubi shkodran ka caktuar edhe orën e zhvillimit të kësaj ndeshje, që do jetë ora 19.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në të njëjtën orë madje do jetë edhe ndeshja e dytë, ajo që do të zhvillohet në Tiranë më 15 prill. Lajmi konfirmohet nga drejtuesit e ekipit shkodran të cilët njëkohësisht kanë bërë të ditur se parashikohet një festë e vërtetë të premten pasdite në pallatin e sportit të Shkodrës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Bledar Gjeçaj ka kohë që përgatitet për këto ndeshje dhe natyrisht që tashmë ka ardhur momenti për të triumfuar. Natyrisht që nuk diskutohet se Klubi Tirana do kalohet me sukses, pse jo pa patur nevojën e ndeshjes së tretë që gjithsesi do luhej në Shkodër. Megjithatë objektivi kryesor siç dihet është finalja e play off-it që pritet të jetë ndaj Kamza Basket. Përforcimi i Vllaznisë me pesë basketbollistët e huaj e ka rritur shumë forcën e saj. Ardhja e Gjokoviç, Dragiçeviç, Kovaç dhe së fundi edhe e dy serbëve të tjerë, Jeftiç e Devrnja, ka patur pikërisht këtë qëllim, shpalljen kampion këtë sezon për të rikthyer titullin kampion në Shkodër pas plot 13 vitesh mungesë. Megjithatë pa shkuar tek finalet, shkodranët e kanë mendjen tek gjysmëfinalet me klubin Tirana dhe prandaj edhe stërvitja gjatë këtyre ditëve do të bëhet pikërisht në orarin e ndeshjes që do luhet ndaj bardhebluve.

Gjergj KOLA

(www.shkodrasport.com)