Atleti 18 vjeçar shkodran Gledis Halluni është shpallur sportisti më i mirë i kampionatit dimëror të sallave të mbyllura të zhvilluara ditën e djeshme në Tiranë. Ndonëse i zhvilluar në kushte të vështira atmosferike në pistën e stadiumit “Qemal Stafa” dhe atletët janë munduar të japin rezultate të mira. Halluni ka kërcyer 7.04 m në kërcim së gjati duke zënë vendin e parë, ashtu siç ka zënë vend të parë edhe në garën e kërcimit trepahësh me distancën 14.71 m.
Vend të parë po ashtu ka zënë një tjetër atlet i Vllaznisë, Mario Shestani në 60 m me kohën 7″32 si dhe Lulëzim Çengeli në garën e 400 m, me kohën 50″78. Përveç këtyre tre sportistëve të Vllaznisë, vend të parë ka zënë edhe një shkodran tjetër, Ravio Rama që konkurron për Tiranën. Ai në 60 m/p ka arritur kohën 8″90 duke fituar ndaj konkurrentëve të tjerë. Të katër këta sportistë dhe bashkë me ta edhe trajneri Vildan Tufi, janë përzgjedhur nga Federata për të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik që do të zhvillohet më 21 shkurt në Stamboll.
Gjergj KOLA