Në ndeshjen e fundit të vitit që shkoi, atë ndaj Partizanit, mbrojtësi i djathtë i Vllaznisë Olsi Gocaj ka ndjerë shqetësime në gju dhe për rrjedhojë ka lënë fushën në minutat e fundit. Pas ekzaminimeve të bëra u konstatua një dëmtim i meniskut por sipas mjekëve nuk ishte e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale por vetëm dy javë pushim. Dy javët tashmë janë plotësuar dhe nga sot pritet që 29 vjeçari t’i bashkohet shokëve të skuadrës në stërvitje.
Po sot bashkë me ekipin do të bashkohet edhe mbrojtësi tjetër, Denis Pjeshka. Edhe ky ka patur problem dëmtimi sepse mungon prej gati dy muajsh. Por ai tashmë është rikuperuar dhe pikërisht ky futbollist mund të luajë në krahun e djathtë të mbrojtjes nëse Gocaj nuk rikuperohet si duhet për ndeshjen e parë me Kukësin. Megjithatë ka kohë deri atë ditë dhe trajneri Gjoka dëshiron t’i ketë në dispozicion të gjithë futbollistët por gjithsesi, po bën gati edhe alternativat për të mos u gjendur i papërgatitur nga mungesa të tilla.
© shkodrasport.com