Situata në kampin shkodran tashmë duket më e qetë. Dy rezultatet e fundit u kanë dhënë mundësinë kuqebluve të buzëqeshin më në fund dhe njëkohësisht të mendojnë për t’i kaluar me sukses edhe sfidat e ardhshme. Në prag është takimi me Tiranën për kupë dhe e gjithë vëmendja është e përqendruar aty. Megjithatë, njëri prej titullarëve të Vllaznisë, mbrojtësi Olsi Gocaj, në një prononcim të sotëm së pari ndalet tek dy fitoret e fundit për të cilat thotë:

“Mendoj se dy fitoret e fundit kanë ndikuar pozitivisht tek skuadra. Tashmë kemi më shumë qetësi, më shumë besim në vetvete sepse jam i mendimit se kemi dalë nga ai ngërçi psikologjik që na kishte pushtuar nga mungesa e rezultateve dhe e pikëve. Me cilësitë dhe kualitetet që kemi në ekip them se do të vijojmë me ecurinë e rezultateve pozitive dhe të tregojmë se këto dy fitoret e fundit rradhazi nuk ishin rastësi.

Po ashtu duhet t’u tregojmë të gjithëve se Vllaznia nuk është një skuadër për mbijetesë por pretendon për më lart”. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me takimin e nesërm ndaj bardhebluve, mbrojtësi i djathtë i ekipit shkodran do të shprehej: “Tirana meriton respekt dhe vlerësim maksimal pasi dihet emri që ka krijuar në futbollin shqiptar megjithatë ne shkojmë në këtë ndeshje me objektiva të qarta për kalimin në turin tjetër. Besoj se do ta zgjidhim këtë gjë që në ndeshjen e parë”. Kur thuhet rezultat pozitiv, ai mund të jetë edhe një barazim pa gola por për Gocaj e mira do të ishte që për ta bërë edhe më të lehtë kualifikimin, nesër dy rezultatet e preferuara të ishin fitorja por edhe një barazim me gola e për këtë shton:

“Jam i mendimit se do të marrim një rezultat pozitiv në këtë ndeshje dhe rezultat pozitiv unë konsideroj edhe një barazim me gola por padyshim që do të tentojmë të marrim edhe fitoren në këtë ndeshje”. Po flasim për takimin e nesërm megjithatë vetë Gocaj ka qenë në dyshim për të luajtur apo jo sepse po kalon një dëmtim. I pyetur në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore, ai shprehet: “Kam 2-3 javë që nuk jam në gjendjen time optimale por duke parë që edhe ekipi nuk ka shumë alternativa në mbrojtje, kam sakrifikuar duke luajtur por besoj se kjo sakrificë ja ka vlejtur”.
© shkodrasport.com