Ditët e fundit nuk kanë qenë aspak të qeta për të. Lakimi I emrit në media si një nga lojtarët e mundshëm për t’u larguar nga Vllaznia, e kanë shqetësuar pa masë mesfushorin Olsi Gocaj. 22 vjeçari në të dytin sezon me kuqeblutë, ka qenë gjithnjë stabël në formacion por thuhet se kohët e fundit nuk ka qenë ndër futbollistët e preferuar nga trajneri Vata prandaj dhe ishte pjesë e një “liste” të hartuar për t’u larguar nga skuadra në merkaton e janarit.

Megjithatë kjo histori tashmë është mbyllur dhe Gocaj është duke u stërvitur me skuadrën në Ulqin. I pyetur se si e ka përjetuar këtë situatë të ditëve të fundit, ai do shprehej: “Të them të drejtën nuk jam ndjerë mirë kur lexoja gazetat dhe shihja emrin tim pjesë e një liste të  lojtarëve që do largoheshin nga Vllaznia. Jam munduar të jap gjithnjë maksimumin për këtë skuadër dhe nuk e kuptoja pse duhej të largohesha. Megjithatë, kjo situatë më dha të kuptoj se jam I vlefshëm për shumë skuadra e këtë e treguan ofertat e shumta që më erdhën”.Po cilat ekipe kanë shfaqur interes për futbollistin që ka provuar të luajë në disa pozicione në fushë, si në mesfushë ashtu edhe në mbrojtje. Olsi vetë nuk ka përtuar t’I bëjë të ditur ato, duke shprehur njëkohësisht edhe falenderimet për interesin  e treguar prandaj thotë: “Më kanë kërkuar Kastrioti, Laçi, Bylis dhe Luftëtari. Sapo u hap lajmi se mund të largohesha nga Vllaznia, këto ekipe u treguan të gatshme të më ofronin kontrata të reja dhe me këtë rast, gjej rastin t’I falenderoj drejtuesit  e tyre për besimin që treguan ndaj meje, megjithatë jam tek Vllaznia dhe më vjen keq por duhet t’u kthej përgjigje negative atyre”. Kjo do të thotë se ai nuk ka ndër mend të largohet nga Shkodra. Të paktën deri në maj. Kjo nga ana e tij sepse nëse bëhet fjalë për ta larguar drejtuesit e klubit, kjo është çështje tjetër. Vetë Gocaj shpreh besnikërinë e tij për të qëndruar deri sa të mbarojë kontratën që ka me kuqeblutë prandaj shton: “Largimin vetë nga Vllaznia nuk e kam menduar sepse dua ta zbatoj deri në fund kontratën që kam me të deri në fundit të muajit maj të këtij viti. Nëse drejtuesit e klubit apo trajneri duan të më largojnë, kjo është çështje tjetër pastaj. Për fat të mirë kam oferta dhe nuk shqetësohem shumë. Megjithatë, unë nuk jam duke e mbajtur shumë mendjen tek kjo gjë. Po stërvitem intensivisht dhe po mundohem të bëj më të mirën në çdo seancë stërvitore”.

www.shkodrasport.com