Manchester City ka konfirmuar blerjen e “yllit” brazilian, Kayky, nga Fluminense, për shumën fillestare 8.5 milionë stërlina, plus bonuset (shuma totale mund të shkojë deri 15 milionë stërlina), në varësi të arritjeve sportive të futbollistit të ri me fanellën e Citizens.

17-vjeçari do të qëndrojë te Fluminense deri në fund të sezonit, para se të bëjë lëvizjen drejt Anglisë, konfirmuan liderët e Premier League-s nëpërmjet një cicërime në Twitter. Kayky, të cilin e krahasojnë me “yllin” e Brazilit dhe Paris Saint-Germain, Neymar, kërkohej gjithashtu nga Liverpooli, Shakhtar Donetsk dhe klubet kryesore spanjolle.

City fitoi garën për të nënshkruar me djaloshin e mrekullueshëm, i cili ka shënuar dy herë në tetë paraqitje me ekipin e parë të Fluminenses, në kampionat, këtë vit. Ai gjithashtu luajti titullar në fazën e grupeve të Copa Libertadores kundër River Plate, takim që u mbyll 1-1.

Klubi brazilian ka ruajtur gjithashtu një përqindje të kartonit të lojtarit në rast të rishitjes së tij në të ardhmen. Kayky do të bashkohet me skuadrën e të rinjve të City-t, kur të mbërrijë në Angli, por pa dyshim që Pep Guardiola do ta mbajë pranë tij.