Një ngjarje jo e këndshme ndodhi pas ndeshjes Real Madrid-Vijareal, ku si protagonist ishte mesfushori i “Los Blancos”, Frederiko Valverde. Uruguaiani është përfshirë në një debat të ashpër me futbollistin e Vijarealit, Aleks Baena në parkingun e “Santiago Bernabeut”.
Mesfushori i “nëndetëses” raportohet se i kishte thënë Valverdes në fushë: “Qaj tani që fëmija yt nuk do të lindë” dhe uruguaiani i kishte kërkuar që ta përsëriste kur u përplasën në parking.
Pas kësaj thuhet se Valverde e goditi me grusht spanjollin, me nervat që duket se nuk e kanë mbajtur. Lajmi u konfirmuar sonte edhe nga klubi i Vijarealit, të cilët përmes komunikatës tregojnë se Baena e ka çuar rastin në Policinë Kombëtare.
Mesfushori i Real Madridit, Valverde, mund të përballet me një pezullim të gjatë për sulmin e dyshuar ndaj futbollistit të Vijarealit.
Valverde mund të suspendohet nga katër deri në 12 ndeshje. Çështja është planifikuar të hapet zyrtarisht të mërkurën, sipas “Sport”. Të dy lojtarët do të ftohen për të dëshmuar në rastin që pritet të zgjatë për gjashtë javë.