Klubi i Bajern Mynih ka reaguar zyrtarisht pas skandalit që ka shpërthyer në radhët e bavarezëve pas humbjes 3-0 në Angli përballë Mançester Sitit. Mediat gjermane publikuan lajmin se Sadio Mane, pas një përplasje me Leroi Sane, ka goditur me grusht këtë të fundit në dhomat e zhveshjeve.

Një situatë e papranueshme në radhët e ekipit me të njohur gjerman dhe një dëm për imazhin e tij, si të mos mjaftonte situata e krijuar me largimin e Nagelsman dhe humbjen ndaj anglezëve.

Mediat gjermane fillimisht aluduan se bavarezët po mendonin seriozisht të prishnin kontratën e senegalezit. Dhe në drekë, ka ardhur vendimi zyrtar i tyre rreth të ardhmes së futbollistit.

“Sadio Mane, 31, nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Bajern për ndeshjen në shtëpi përballë Hofenhajm të shtunën e ardhshme.

Arsyeja është sjellja e papërshtatshme e Mane pas ndeshjes së Ligës së Kampioneve të FC Bajern në fushën e Mançester Sitit. Përveç kësaj, Mane do të ndëshkohet me gjobë”, shkruhej në komunikatën e shkurtër për shtyp të bavarezëve.

Mane mori pjesë normalisht në stërvitje sot, pas një takimi me drejtuesit më të lartë të Bajernit dhe vetë Sane. Edhe pse u raportua se ai kishte kërkuar falje për sjelljen e tij, “Bild” bën të ditur se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, as para Sane dhe as para shokëve të skuadrës.