Dinamo projekton goditjen e madhe, ku është gati për t’i “rrëmbyer” Partizanit objektivin e madh në merkato, Redon Mihanën. Talenti i Apolonisë i cili shkëlqeu dhe la shenjë me paraqitjet e tij sezonin e kaluar në Kategorinë Superiore, ka arritur akordin dhe është pranë firmës me skuadrën e Dinamos.
Lajmin e konfirmojnë burime zyrtare në klubin blu. Apolonia dhe Dinamo kanë gjetur marrëveshjen, por mbeten detaje të vogla për të bërë zyrtarizimin.
Gjithsesi, që sot Mihana do t’i bashkohet Dinamos në stërvitje.
22-vjeçari, është gati të ndërmarrë hapin e madh në karrierë teksa pritet të firmosë me blutë e kryeqytetit për të vazhduar aventurën e tij sërish në elitën e futbollit shqiptar.
Mihana gjatë sezonit të kaluar është aktivizuar në total mes Kategorisë Superiore dhe Kupës së Shqipërisë me fanellën e Apolonisë në 40 ndeshje nga ku ka realizuar dhe 5 gola.
Dinamo nuk ndalet së transferuari lojtarë, ku deri tani janë afruar 18 futbollistë, ku mes tyre spikasin dhe emrat e Agim Ibraimit, Patrik Bardhit, Dorian Kërçikut, Enis Gavazajt, Romeo Harizajt, Aleksandar Isaevskit dhe Eni Imamit.