Një nga talentet që po magjeps futbollin botëror, është pikërisht hollandezi De Jong. Merkaton që lamë pas, ai arriti të firmoste një kontratë me skuadrën e Barcelonës, ku ekipi që mbante kartonin e tij, Ajaksi, do të përfitojë nga ky transferim shifrën e 75 milionë eurove plus bonuset.
Nga kjo lëvizje nuk do të përfitoj vetëm skuadra e Ajaksit, por edhe ekipi i Willemit II, ekip ky që më parë ka pasur shërbimet e këtij lojtari. Nuk flitet për ndonjë shumë edhe aq modeste, pas Willemi II do të përfitojë diçka më shumë se 6 milionë euro nga transferimi i De Jong.
Tek kjo skuadër luajnë edhe dy lojtarët shqiptarë, Avdijaj dhe Vrushaj. Ajo çka bie në sy është taktika që holandezët ndjekin me afrimet, teksa nuk kanë shpenzuar asnjëherë më shumë se dy milionë euro për të blerë një futbollist në gjithë historinë.
Willemi II është një klub që bazohet tek lojtarët e rinj dhe të talentuar, ku edhe në kampionat po ecën mjaft mirë duke patur një rendiment konstant dhe gjithashtu gjendet në mesin e tabelës së klasifikimit të elitës së futbollit hollandez. Ndërsa së fundmi, në merkaton e janarit, mori 4 lojtarë mes të cilëve edhe Vrushajn, duke shpenzuar në total 3 milionë euro. /Shqiperia.ch/