Erling Halandi ka hyrë që në moshën 22-vjeçare në listën e rekordeve të futbollit. Është në kuotën e 186 golave me klubin në futbollin profesionist (pa përmendur të rinjtë) me klubet e Byrnes, Moldes, Salcburgut, Dortmundit dhe Sitit.
Llogaria shkon në 207 gola, duke llogaritur edhe ato me kombëtaren norvegjeze. Në 253 ndeshje në karrierë ka luajtur mbi 17 mijë minuta. Shënon mesatarisht një gol çdo 83 minuta gjatë gjithë karrierës.
MË SHUMË GOLA SESA NDESHJE – Ka shënuar gol në çdo kompeticion që ka luajtur dhe në kampionatet kryesore mes Dortmundit dhe Sitit ka realizuar 137 gola në 136 ndeshje. Gjithnjë, duke analizuar shifrat e tij në kampionatet kryesore ku ka luajtur, që statistikisht reflektojnë edhe të gjithë karrierën e tij, Erling shënon 14% të golave me kokë, 17% me të djathtën dhe 69% të golave me të majtën, këmbën e tij të preferuar, me të cilën ekzekuton edhe penalltitë.
PENALLTI KIRURGJIKE – Është e vërtetë, ai e dërgoi në tribunë penalltinë përballë Zomerit në ndeshjen kundër Bajernit në çerekfinalen e Champions-it, por ishte vetëm gabimi i tij i tretë mes klubit dhe kombëtares në 36 penallti, me një saktësi 91.7%.
9 GOLA NË NJË NDESHJE – Ai ka shënuar 9 gola në një ndeshje të vetme. Nëse rekordi absolut i Mesit dhe Ronaldos është 5 gola, ai i Halandit është gati dyfishi. Ndodhi në një ndeshje të rinjsh, në Norvegji-Honduras, e vlefshme për Botërorin U-20. Pesë gola ai i shënoi me Sitin në Champions kundër Lajpcigut, ndërsa Mesi dhe CR7 kanë bërë “manita” dy herë në karrierën e tyre. Halandi ka shënuar edhe dy “pokerë” dhe 16 tregolësha.
MINUTAT – Por ai ka regjistruar edhe një statistikë të pabesueshme. Halandi ka shënuar të paktën 1 gol në thuajse çdo minutë të ndeshjes nga 1-90, përfshirë shtesat (vlen për klubet dhe kombëtaren). Në apel mungojnë vetëm 5 minuta: 1’, 14’, 17’ 56’ dhe 85’.
Ai ka shënuar 84 herë në pjesën e parë dhe 101 në të dytën. Minutazhi i tij i preferuar është 76-90’, ku ka realizuar 37 gola. Ronaldo e ka këtë rekord, ka shënuar në çdo minutë. Edhe Luis Suarez nuk mungon në këtë apel, ashtu si Robert Levandovski dhe dy legjenda të së shkuarës, Raul Gonzalez dhe Alesandro del Piero. E çuditshme, por e vërtetë. Këtu mungon Mesi, të cili i mungon goli në minutën e parë. Të tjerëve që u mungon goli në çdo minutë janë Benzema, Ibra dhe Kavani.