17 vjeç dhe 40 ditë. Ansu Fati është loj tari më i ri që shënon gol në historinë e Ligës së Kampioneve. Nuk është befasi, sepse talenti që luan me shpresat e Spanjës, kishte thyer rekorde të njëpasnjëshme edhe në La Liga.
Në shansin e artë në “La Scala”- n e futbollit italian, lojtari i lindur në vitin 2002 e gjeti golin e fitores në fundin e ndeshjes, gol i cili ndëshkoi Interin me eliminim nga Champions-i dhe e dërgoi në Ligën e Europës. Ansu Fati. Sërish ai. Lojtari me origjinë nga Guinea i ka bërë të gjithë të flasin për të.
U fut në minutën e 85-të në fushën e lojës dhe shënoi golin që nxori jashtë gare zikaltrit e Antonio Kontes, duke kaluar Handanoviçin me një goditje mjaft të bukur dhe duke “ngrirë” “San Siro”-n. Super i lumtur – Talenti katalanas thotë se nuk e dinte që ishte një gol rekordesh dhe tregon lumturinë e tij para kamerave.
“Sapo ma thanë që ishte një gol historik. Jam shumë i lumtur për golin dhe mbi të gjitha për fitoren e skuadrës. Ajo që kam përjetuar gjatë këtyre ditëve, është si një ëndërr. Duket s ikur gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, por duhet të vazhdoj të punoj dhe të mësoj nga më të mirët.
Goli? E pasova për Suarezin dhe ai ma ktheu sërish pasimin. Pastaj kisha shumë hapësirë për të goditur dhe provova portën. Jam super i lumtur dhe nuk kam fjalë për ta përshkruaj atë që po jetoj. Kam për detyrë që të përfitoj nga mundësitë që më jep trajneri dhe dua të vazhdoj kështu”, përfundoi Ansu Fati.