Një fitore me shumë vlerë ka marrë sot në Peshkopi ekipi i Vllaznisë. Ajo ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Korabit duke forcuar kësisoj edhe më shumë pozitat në krye të renditjes.
Vllaznia e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen teksa që në minutat e para vihet në zotërim të lojës dhe për rrjedhojë në minutën e 17-të, ajo do të kalonte në avantazh falë golit të shënuar nga Gocaj.
Loja e mirë e kuqebluve do të vazhdonte dhe pesë minuta më vonë, ata do të fitojnë edhe një 11-metërsh. Atë e merr përsipër ta ekzekutojë braziliani Junior i cili gabon duke i hequr mundësinë shkodranëve për të dyfishuar shifrat.
Pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e Vllaznisë por në fillimin e pjesës së dytë rezultati do të barazohej.
Në minutën e 47-të vendasit do të barazohen me anë të Kovaçit, ndërkohë që më pas loja ka ardhur duke u ashpërsuar dhe madje nuk kanë munguar as pretendimet e vendasve për një 11-metërsh por nuk ka qenë i këtij mendimi arbitri i takimit Ziri.
Ndeshja dhuron emocione dhe njëkohësisht edhe raste për të dy ekipet por në minutën e 89-të do të ishte kapiteni Lika ai që do të shënonte dhe golin e dytë dhe të fitores për Vllazninë.
Perfundimisht 2-1 per Vllaznine qe ruan distancen prej pese pikesh me Erzenin e vendit te dyte, i cili edhe ai fitoi ne fund ndaj Ilirise.
www.shkodrasport.com