Largimet tek Vllaznia kanë qenë të shumta në këtë merkato. Madje edhe nga futbollistë që kanë mbajtur peshën në sezonet e fundit. Një prej tyre është edhe Herald Marku. Mesfushori potent u largua nga Shkodra në fundin e sezonit të shkuar. Kjo për të provuar një aventurë të re.

Madje edhe një kampionat të ri siç është ai rumun. Mëngjërashi tashmë po luan me ekipin e UTA Arad, që është pjesë e elitës së futbollit në Rumani. Pavarësisht ndonjë vështirësie në fillim, që është e kuptueshme për çdo futbollist kur ndërron ambient, 27-vjeçari ka ditur të fitojë vendin në formacion.

Pas javës së shkuar ku ai ishte titullar në humbjen 2-1 ndaj Hermannstadt, ai ishte sërish titullar ndaj Poli Iasi. Por kësaj rradhe në një fitore 1-0. Dhe përveç faktit se ka luajtur titullar, Marku i ka zhvilluar minutat e plota. Duke mos u zëvendësuar asnjë minutë gjatë takimeve.

Fakt që tregon për besimin që i ka dhënë skuadra rumune ish-futbollistit të Vllaznisë. Marku ishte një nga lojtarët kryesorë të Vllaznisë sezonin e shkuar. Ai kontribuoi me 7 gola dhe 4 asist gjatë edicionit të shkuar, duke qenë kështu futbollisti me statistikat më të pasura në ekipin shkodran.
Endri ÇINARI