Superiorja e këtij sezoni ka mbyllur pjesën e parë të edicionit. Kampionati do rikthehet në javën e dytë të muajit janar me ndeshjet e raundit të 16-të. Pjesa e parë e këtij sezoni është mbyllur me Partizanin e Tiranën në krye e ndërsa në ndjekje të dyshes kryeqytetase është edhe Egnatia dhe Vllaznia.

Në këtë sezon 2022-23 bie në sy fakti se protagonistë me gola janë futbollistët shqiptarë. Ndryshe nga edicionet e shkuara ku emra si: Reginaldo apo Nuwabueze e të tjerë fitonin Këpucën e Artë. Tashmë skenën e kanë marrë futbollistët shqiptarë dhe më konkretisht Xhuliano Skuka dhe Redon Xhixha.

Dibrani i Partizanit deri më tani ka shënuar 10 gola në kampionat. Duke mbajtur kështu të kuqtë në krye të tabelës me rrjetat e tij. Por më shumë se Skuka ka shënuar Xhixha.

Futbollisti laçian ka gjetur 11 herë rrjetën duke qenë deri më tani më i miri në kampionat. Një duel që duket se do vazhdojë deri në fund. Duke parë që ndjekësi më i afërt i dyshes është Nonato me 5 gola.

Por ky fakt tregon se duhet pasur besim më shumë tek elementët vendas. Ku prurjet e lojtarëve të huaj nuk është se kanë qenë edhe aq të suksesshme. Po ashtu edhe elementë që vijnë nga Kategoria e Parë siç është Skuka kanë qenë ndër më të spikaturit.

Besimi ndaj lojtarëve vendas do ulte edhe shpenzimet për klubet e po ashtu do rriste përfitimet në rast shitjeve të futbollistëve.
Endri ÇINARI