Valbona i bëri një nisje të mirë sezonit, duke mposhtur Besëlidhjen në Tropojë me shifrat 3-2. Skuadra e drejtuar nga Alfred Allamani, e udhëhequr në fushë nga një kapiten si Gerhard Progni, kënaqi të pranishmit e shumë në stadium.
valbona

Investimi i madh që është bërë këtë sezon, me afrimin e disa lojtarëve cilësorë, që kanë luajtur edhe në elitën e futbollit shqiptar, ka bërë që tropojanët të kenë një interesim të shtuar ndaj skuadrës. Që në fillim, sulmuesi Progni, me një goditje nga brenda zonës, kalon në avantazh Valbonën.

Mirëpo, skuadra lezhjane reagoi shpejt, duke barazuar me anë të Erli Përgjonit. Gjithsesi, Valbona ushtroi presion në portën e Besëlidhjes dhe pas një goditjeje standarde, është mbrojtësi Lushaku që kthen avantazhin 2-1.

Reagimi i Besëlidhjes është sërish fantastik, pasi Musaraj rivendos ekuilibrin në 2- 2. Mirëpo, pjesa e parë do të kishte një tjetër gol, me kapitenin Progni që shënon nga penalltia dhe skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me shifrat 3-2.

Në pjesën e dytë, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati mbeti i pandryshuar. Në stolin e Besëlidhjes nuk ishte Dritan Smajli, i cili ka një dënim të mbartur nga Disiplina, ndërsa me të kuq u ndëshkua zv.trajneri Alket Kruja.