Levandovski ka marrë të mërkurën pas dite çmimin e radhës në karrierën e tij. Për të dytin sezon radhazi ai është shpallur golashënuesi më i mirë në Europë për sezonin 2020- 2021. Dhe për këtë arritje ai ka fituar “Këpucën e Artë”.

Sulmuesi i Barcelonës dhe i kombëtares polake ka shënuar 35 gola në sezonin e kaluar në Bundesligë me Bajernin e Mynihut, duke e mbyllur me 70 pikë. Ai ka lënë pas sulmuesin e Paris SG-së, Kilian Mbape, i cili shënoi 28 gola me kampionët e Francës (56 pikë), teksa në vendin e tretë është renditur sulmuesi i Lacios, Çiro Imobile me 27 gola dhe 56 pikë. Vetëm në vendin e katërt “Topi i Artë” i sezonit të kaluar, Karim Benzema me po 27 gola dhe 54 pikë të grumbulluara. E veçanta e Levandovskit është se ai i ka shënuar golat me Bajernin, por trofeun e ka fituar si një lojtar i Barcelonës.

Ai është bërë i katërti lojtar i katalanasve që e fiton “Këpucën e artë”, që pas ndryshimit të formatit në vitin 1997. Përpara tij, nga lojtarët e Barcelonës që e kanë fituar këtë çmim kanë qenë Ronaldo, më pas Lionel Mesi e Luis Suarez. I shoqëruar nga presidenti i Barçës, Joan Laporta dhe trajneri Ksavi Hernandez, polaku ka fituar trofeun që jepet nga “ESM”-ja (European Sport Media). Ky çmim për të vjen vetëm një ditë pasi u ndëshkua me karton të kuq në La Liga në fitoren 1-2 të Barcelonës në Pamplona kundër Osasunës, që për të ishte i kuqi i tretë në karrierë.

Duke folur për mediat, pas ceremonisë së marrjes së “Këpucës së Artë”, Levandovski nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij.

“Një falënderim i parë i shkon të gjithëve që më kanë mbështetur në këtë arritje. Jam shumë krenar, kam punuar fort për të mbërritur këtu, për të fituar këtë çmim. Një falënderim i veçantë i shkon të gjithë shokëve të mi te Bajerni i Mynihut”, ka nënvizuar sulmuesi polak.

Ndërkohë, që edhe në këtë sezon sulmuesi i Barçës duket në garë për një tjetër “Këpucë të Artë”, ndonëse këtë herë ka përballë një rival shumë të fortë si Erling Haland te Siti.

“Golat dhe çmimet personale janë të rëndësishme për një lojtar, por personalisht do të vlerësoja më shumë trofetë me skuadrën. Më e mira për mua do të ishte që të fitoja trofe me Barcelonën. Natyrisht që unë dua ta ndihmoj skuadrën me gola dhe do të ishte kënaqësi ta fitoja sërish këtë çmim”, ka thënë ai.

Gjatë intervistës pas ceremonisë festive, Levandovski ka përsëritur faktin se ai ndihet tepër i lumtur në Barcelonë, duke mos e vënë në pikëpyetje vendimin e marrë në verë për t’iu bashkuar gjigantëve spanjollë.

“Jam i sigurt se sezoni që është në vijimësi do të jetë shumë i mirë. Tani që jam këtu e kuptoj se përse Barcelona është më shumë se thjesht një klub futbolli. Unë jam i lumtur që ndodhem këtu. Jam përshtatur shpejt dhe mjaft mirë” nënvizoi ai.

Levandovski ka theksuar se edhe suksesi i fundit i arritur nga Barcelona, të martën në mbrëmje kundër Osasunës ishte një tregues i rritjes dhe pjekurisë së skuadrës.

“Ne jemi në rrugën e duhur, ajo që ndodhi të martën (fitorja me përmbysje kundër Osasuna, 1-2) ishte diçka vërtet e shkëlqyer. Ndeshje të tilla, fitore të tilla, me sakrifica është një tregues se skuadra po rritet. Tregon se dëshira për të arritur suksese në këtë sezon është e madhe, tregon se Barcelona e kërkon deri në fund rezultatin”, ka thënë Leva, i cili u ndëshkua me karton të kuq në Pamplona.

Sulmuesi i Barcelonës ka vijuar më tej në intervistë, duke iu kthyer dhe eliminimit nga Liga e Kampioneve. Polaku nuk ka përdorur gjuhë diplomatike. Me delikatesë po, por ai ka qenë i qartë, Barcelona ka mëkatet e saj, që e detyruan t’i japë fund para kohe aventurës në Champions.

“Duhet të jemi të qartë dhe të kuptojmë e të pranojmë edhe gabimet tona. Në Ligën e Kampioneve kemi bërë disa gabime që nuk mund të ndodhin në një kompeticion të tillë. Në Ligën e Kampioneve çdo gjë paguhet shtrenjtë dhe ne e vuajtëm mbi kurriz. Ky eliminim duhet të na shërbejë si një mësim. Por natyrisht nuk mund të kthejmë kokën pas, tani duhet të shohim përpara. Pa harruar faktin tjetër se gjërat nuk mund të ndryshojnë brenda natës, nuk mund të ndryshojnë brenda një jave, apo brenda një muaji. Ky është një proces që kërkon kohë dhe durim”, tha Leva.

Në fund ai preku dhe temën e kombëtares dhe kampionatin botëror në Katar, që me shumë gjasa do të jetë i fundit edhe për të.

“Besoj se do të jetë një Botëror i veçantë, por njëlloj emocionues. Mezi po pres të fillojë”, tha polaku.