Golat nuk kanë qenë një problem për tu shënuar tek Vllaznia këtë sezon. Kjo pasi pas 11 javëve të para, kuqeblutë e kanë dërguar 12 herë topin në rrjetë. Në kuotë të barabartë me Partizanin dhe ku vetëm Tirana ka bërë më mirë me 19 gola të shënuar. Por ajo që ka “çaluar” disi është fakti se nuk kanë qenë sulmuesit protagonistë.
Kjo pasi tek shkodranët pjesën më të madhe të golave i ka shënuar reparti i mesfushës, me Markun si protagonist kryesor me 4 gola. Duke mos harruar edhe Jonuzin, Heriç apo edhe Malen. E po ashtu Esin Hakaj që i dha një 3 pikësh me shumë vlera kundër Kukësit me golin që shënoi për ekipin e drejtuar nga Josa.
Sulmuesit e Vllaznisë nuk është se këtë sezon kanë pasur një marrëdhënie të mirë me golin. Ardit Hoxhaj ka shënuar 2 gola e ndërsa nga 1 gol kanë realizuar edhe Aralica e Kaina, shumë pak për një skuadër sulmuese që ka si pretendim vendet e para të renditjes.
Krejt e kundërta është tek kundërshtari i kësaj jave, Tirana që si shënues ka Xhixhen me 10 gola. Prandaj për duelin kundër bardhebluve sytë do jenë edhe tek sulmuesit e Vllaznisë.
Ku të gjithë pa përjashtim kanë marrë minuta këtë kampionat dhe besim e pavarësisht se golat i kanë pasur me pikatore. Në duelin para pushimeve në rast se ata zhbllokohen patjetër që do ndihmojnë ekipin, por do jenë edhe më të qetë psikologjikisht në rikthimin e kampionatit.
Endri ÇINARI