Partizani nuk u beson syve, Teuta e ka barazuar në ekstrem, më konkretisht në minutën e 95-të për një rezultat 1-1 në “Arena e Demave”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të “Abissnet Superiore” dhe që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport.

Të kuqtë arritën të gjejnë avantazhin në minutën e 9-të me anë të Carës dhe në minutat në vazhdim u munduan të administrojnë lojën. Krijuan disa mundësi shënimi për të mbyllur llogaritë në këtë sfidë, por gabimet para portës kundërshtare ishin evidente. Nga ana tjetër, Teuta rriti ritmin në minutat e fundit dhe arriti të fitojë një 11-metërsh pas ndërhyrjes së VAR.

Ishte pikërisht minuta e 95-të, moment në të cilin Lloci arriti të kthejë në gol goditjen nga pika e bardhë për një barazim përfundimtar 1-1.

Një fitore që i ikën nga duart skuadrës së kuqe, duke lejuar që të barazohet me pikë me Vllazninë(me nga 21 pikë). Teuta ngjitet në kuotën e 16 pikëve.