Goli i shënuar nga Endri Memçaj ka rezultuar me shumë vlerë për ekipin e Adës sepse i ka dhënë asaj fitoren 1-0 ndaj Spartakut në ndeshjen e rradhës për kampionat.
Takimi është luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës dhe është shoqëruar nga një luftë e fortë sportive.
Spartaku vinte në këtë takim pas fitores së thellë 5-2 të javës së kaluar ndaj Vllaznisë B dhe padyshim që synonte fitoren edhe ndaj ekipit tjetër shkodran.
Por nuk ka ndodhur kështu. Djemtë e drejtuar nga trajneri Vahedin Pepaj janë treguar të vendosur në fushën e lojës, kanë kontrolluar mesfushën dhe kanë tentuar herëpashere portën kundërshtare.
Megjithatë goli vendimtar do të shënohej vetëm në pjesën e dytë nga 19 vjeçari Memçaj. Më pas, ndonëse të dy ekipet janë përpjekur për të shënuar sërish, nuk ia kanë dalë dhe gjithçka është mbyllur në shifrat 1-0 për velipojakët.
Me fitoren e sotme Ada është ngjitur në kuotën e 4 pikëve tashmë duke mbajtur vendin e 10-të në renditje pas javës së pestë të kampionatit. Ndërkohë Spartaku mbet në kuotën e 6 pikëve dhe mban vendin e shtatë në renditje.
© shkodrasport.com