Skuadra e AEL Larisës në kampionatin grek nuk ia ka dalë të mbyllë me fitore duelin e sotëm ndaj Atromitos, pasi është mundur në shtëpi me shifrat 2-1. Në ndeshjen ku në fushën e lojës e nisën si titullarë dy mesfushorët shqiptarë, Andoni dhe Kaçe, skuadra nuk arriti të marrë pikë duke rrezikuar disi pozitat që ka në klasifikim ku për momentin është në grupin e ekipeve më të mira që do të luftojnë për Europën në pjesën e mbetur të sezonit.
Takimi nisi keq për Larisën që pësoi dy gola që në 20 minutat e parë dhe e kishte të vështirë që të gjente rrjetën. Goli erdhi vetëm në minutat e fundit të pjesës së parë, kur Fatjon Andoni realizoi penallti për të shkurtuar diferencën.
Ky ishte goli i dytë në kampionat për futbollistin 28-vjeçar i cili pak kohë më parë është pajisur edhe me pasaportën greke. Ai u zëvendësua në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa Kaçe çoi deri në fund sfidën, por pa arritur të bënte diferencën me lojën e tij për t’i siguruar të paktën një pikë ekipit. Për momentin AEL Larisa është në vendin e 6 dhe vetëm golavarazhi e mban në pozicionin e fundit në zonën e skuadrave që do të luajnë për Europën. /vipsport/