Stadiumi i Pogradecit ka parë sot të luhet një tjetër “miqësore Superioreje”, me skuadrat e Dinamos dhe Egnatias që kanë provuar forcat e tyre në këtë pikë të sezonit, por sigurisht më shumë me mendjen te afrimet e reja që kanë bërë.
Si Shkëmbi, ashtu edhe Magani, kanë bërë disa ndryshime në rreshtimet e skuadrave, duke kërkuar që të shohin formën që kanë lojtarët kur i ndan edhe një muaj nga fillimi zyrtar i aktiviteteve në vend. Pas një beteje të luftuar, triumfuese ka dalë Egnatia, me një gol në frymën e fundit.
Ka qenë Shtubina ai i cili ka tundur rrejtën me një penallti në minutat shtesë të duelit, duke vendosur këtë miqësore. Një rezultat që sjell kështu humbjen e parë në miqësoret përgatitore për Dinamon, por që me siguri nuk do të shqetësojë Shkëmbin i cili që në start ka deklaruar se rezultatet janë gjëja e fundit që sheh në sfida të tilla.
Ndërkohë, për Egnatian vjen përsëri konfirmimi se ka ndërtuar një grup mjaft cilësor e me ambicie për këtë kthim pas shumë vitesh në elitë.