Vllaznia arriti fitoren e parë në miqësoret e përgatitjeve verore. Kuqeblutë që po zhvillojnë fazën përgatitore në Austri prej datës 29 qershor, dje zhvilluan edhe ndeshjen e parë për sezonin e ri.

Ekipi i drejtuar nga Mirel Josa fitoi në shifrat 1-0 kundër austriakëve të Traiskirchen. Një sukses që u vendos nga një gol i Kristjan Vulajt.

Mesfushori me tipare sulmuese i afruar në këtë sesion merkatoje nga skuadra shkodrane, ishte vendimtar me rrejtën e tij. Gol që ishte i pari edhe për të për fanellën e 9 herë kampionëve të Shqipërisë. Ky gol ka “elektizuar” menjëherë edhe tifozët shkodranë, që tek Vulaj shohin një element shumë cilësor për sulmin këtë sezon.

Komplimentat dhe vlerësimet kanë qenë të mëdha për lojtarin nga Tuzi. 24-vjeçari shihet si një nga liderët e këtij sezoni të ti dhe shpresat tek ish-futbollisti i Deçiçit janë të mëdha.

Por gjithashtu ai nuk mund të vlerësohet vetëm për një miqësore verore, pasi nga Vulaj priten performanca akoma më të mira në kupat e Europës, por edhe gjatë edicionit të ri të Superligës.
Endri ÇINARI