U desh ndeshja e 192-të në Serinë A për Elseid Hysajn që kapiteni i kombëtares shqiptare të gjente golin e tij të parë në elitën e futbollit italian. Një gol që ka ardhur pak ndeshje para mbylljes të sezonit, që mund të jetë i fundit për lojtarin e Napolit.

“Jam shumë i lumtur për këtë gol të parë me Napolin. Më vjen keq që nuk ishin këtu tifozët, por ia kushtoj gjithsesi familjes time dhe gruas. Shpresoj që të shënoj të tjerë. Rinovimi? Jam I qetë dhe jetoj shumë mirë në Napoli.

Do të kënaqem deri në fund, pasi këto gjëra nuk dihet si mund të shkojnë. Do të flas me klubin në fund të sezonit pasi tani kemi shumë ndeshje të rëndësishme”, tha ai pas përfundimit të sfidës.

Sigurisht, objektivi është ajo sfidë me Barcelonën në Ligën e Kampioneve, pasi napolitanët besojnë se mund të kualifikohen.

“Sot u shënuan 4 gola që erdhën nga gabimet tona. Fatmirësisht ekziston VAR pasi ishin në pozicion jashtë loje, por duhet të jemi më të vëmendshëm. Sasuolo e qarkullon topin si Barcelona, niveli i lojtarëve do të jetë më i lartë në atë ndeshje e ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe ndaj detajeve të vogla. Jemi në formë, thjesht duhet të rregullojmë 2-3 gjëra”, deklaroi mbrojtësi shqiptar. /vipsport/