Belajdi Pusi duket se ka gjetur vazhdimësinë para portës në radhët e Shamkah në kampionatin azer të futbollit. Lojtari shkodran, i cili po vazhdon karrierën në Azerbajxhan, ka shënuar sot golin e tij të pestë të këtij edicioni, për më tepër ndaj një ekipi me emër e shumë pretendime si Karabak.
Pusi, i rreshtuar titullar përballë skuadrës së Redon Xhixhës, ku ky i fundit e niste nga stoli, shënoi në minutën e 14 të ndeshjes golin e barazimit të përkohshëm 1-1 të duelit.
Ai u tregua nuhatës para portës kundërshtare duke gjetur hapësirën për të devijuar topin në rrjetë, duke realizuar kështu golin e tij të pestë sezonal.
Një shifër e tillë bën që Pusi të barazojë që tani bilancin e golave të edicionit të kaluar në Azerbajxhan, ku mbante të veshur fanellën e skuadrës së Turan.