Djelmnia Shkodrane dhe Shënkolli e kanë mbyllur në paqe ndeshjen e tyre të vlefshme për kampionatin e Kategorisë së Parë për grupmoshën U-17. Paraditën e sotme, ekipi shkodran ka marrë një tjetër barazim në kampionat, teksa këtë gjë e ka bërë ndaj ekipit të Shënkollit, në ndeshjen e luajtur në kompleksin Zmijani në Shkodër.

Në fund të 90-minutave pas shumë rasteve të shpërdoruara, futbollistët e drejtuar nga trajneri Arbër Shytani nuk kanë shkuar më shumë se sa barazimi me rezultatin 1-1 ndaj Shënkollit. Fillmisht, miqtë do të shënonin që në startin e ndeshjes dhe do të kalonin në avantazh, duke dërguar rezultatin në 0-1.

Megjithatë, Djelmnia Shkodrane U-17 kundërpërgjigjet shpejt dhe barazon shifrat me anë të Plangajt. Ndërkohë, në fund të këtij 45-minutëshi, Doçaj për Djelmninë Shkodrane nuk arriti dot të kthejë një penallti në gol. Pjesa e parë është mbyllur me shifrat 1-1.

Në të dytën, Djelmnia Shkodrane ka dominuar tërësisht 45-minutëshin, por futbollistët e saj kanë qenë të pasaktë dhe të pafat në rastet përpara portës kundërshtare. Deri në fund nuk do të kishte më ndryshim të rezultatit, duke bërë që ndeshja të mbyllet 1-1.

Në këtë mënyrë tashmë për momentin, Djelmnia Shkodrane U-17 mban vendin e dytë në renditje në kuotën e 24-pikëve pas javës së 12-të të kampionatit. Megjithatë, këtu vlen të theksohet edhe puna tepër e mirë dhe cilësore që trajneri Arbër Shytani po bën në krye të Djelmnia U-17, teksa në 12-ndeshje ka arritur shtatë fitore, tre barazime dhe vetëm dy humbje. /Maringlen ZHIVANI/

U-17: Djelmnia Shkodrane-Shënkolli 1-1

Goli për Djelmninë Shkodrane: Plangaj 15’

Formacioni i Djelmnisë Shkodrane: Tahiri, Kakini, Lezha, Delaj, Ndrevashaj, Plangaj, Zhuri, Brojaj, Çezma, Doçaj, Uldedaj (u aktivizua: Marshija) Tr: Arbër Shytani