
Një kryevepër e shkodranit Bekim Balaj i ka dhënë një fitore me shumë vlera Shqipërisë në ndeshjen e parë eliminatore ndaj Portugalisë në fushën e kësaj të fundit. Fitorja 1-0 e kuqezinjve mund të cilësohet surpriza e madhe e mbrëmjes së sotme. Balaj në minutat e para të pjesës së dytë, ka shfrytëzuar një kros të bukur të Roshit nga e djathta dhe fluturimthi e ka dërguar topin në rrjetë. Një gol që ka mjaftuar për Shqipërinë që ajo të dalë kryelarte nga Portugalia. Kjo e fundit ndërkohë është kontestuar gjatë nga tifozët e saj në fundin e ndeshjes teksa ata kanë valvitur shamitë e bardha në shenjë falimentimi të këtij ekipi që në fakt sonte luajti pa yllin e saj- Ronaldon. Shqipëria nga ana tjetër kishte 14-yje në fushë dhe duke u mbrojtur fort por edhe duke kundërsulmuar shpejt, arriti të marrë fitoren. Në këtë takim, një paraqitje shumë të mirë ka bërë edhe shkodrani tjetër, Elseid Hysaj që ka luajtur për 90 minuta si titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes.Përfundimisht 1-0 për Shqipërinë që i nis eliminatoret e Europianit me një trepikësh me shumë vlera, pikërisht në një grup të vështirë ku shumëkush e mendon të fundit atë por në fakt, mund të jetë ndryshe.
www.shkodrasport.com