Dita e djeshme ka prodhuar një barazim dhe një fitore për dy ekipet e “Atletik Klub Shkodra” që marrin pjesë në kampionatet e Kategorisë së Parë për grupmoshat U-14 dhe U-15. Të dy këto ekipe kanë arritur kështu të marrin pikë shumë të rëndësishme për ecurinë e tyre të mëtejshme dhe pothuajse e kanë siguruar tashmë qëndrimin në Kategorinë e Parë, që është edhe objektivi i tyre.

Sa i takon ndeshjes së 15-vjeçarëve, “Atletik” ka pritur në Shkodër ekipin e Turbinës dhe ka fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj tyre, me golin e shënuar nga futbollisti Armando Vuksani në minutën e 66-të të pjesës së dytë. Kështu në këtë ndeshje, Vuksani është shfaqur si protagonist me lojën dhe golin e tij, duke qenë një faktor i rëndësishëm i “Atletik”.

Në këtë mënyrë, Atletik U-15 është ngjitur në kuotën e 29-pikëve dhe janë të pozicionuar në vendin e gjashtë të renditjes. Kjo fitore e djeshme ka qenë me shumë vlerë për Atletik U-15, që i forcon edhe më shumë pozitat e saj në mesin e tabelës së renditjes, duke qenë kështu pothuajse i sigurtë në qëndrimin në Kategorinë e Parë dhe ky padyshim që është një sukses për këtë ekip, kur ke parasysh faktin që është hera e parë që merr pjesë në këtë kategori.

Ndërkohë, fitorja e Atletik U-15 ndaj Turbinës nuk është pasuar nga ekipi i Atletik U-14 ndaj Elbasanit. Ekipi i 14-vjeçarëve e ka pasur më të vështirë ndeshjen dhe këtë e tregon rezultati i fiksuar në fundin e takimit, pikërisht 0-0. Në këtë mënyrë, Atletik U-14 e drejtuar nga trajneri Eder Zmijani nuk ka arritur dot të fitojë dhe gjithçka është mbyllur me rrjeta të paprekura.

Me këtë pikë, ky ekip është ngjitur në kuotën e 23-pikëve dhe tashmë është i pozicionuar në vendin e tetë. Një pozitë komode kjo për këtë ekip në këtë debutim të tyre në kampionatin e Kategorisë së Parë të kësaj grupmoshe. /Maringlen ZHIVANI/

U-14: Atletik Klub-AF Elbasani 0-0

Formacioni i Atletik Klub: Lumçi, Luka, Syla, Hebovija, Bajri, Ymeraj, Kastrati, Ramollaj, Gjergji, Nuha, Qytetzaj (u aktivizuan: Kastrati dhe Bashaj) Tr: Eder Zmijani


U-15: Atletik Klub-Turbina 1-0

Goli: Vuksani 66’

Formacioni i Atletik Klub: Fusha, Ademi, Papaj, Plori, Livalli, Bushati, Abazi, Nikaj, Kallajxhiu, Belisha, Vuksani (u aktivizuan: Dajani dhe Myftari) Tr: Saimir Kaloshi