Nga Endri ÇINARI
Vllaznia arriti një barazim në shifrat 1-1 në javën e 13-të të Superligës përballë Egnatias. Në atë që mund të cilësohet si supersfida e këtij raundi, shkodranët ia dolën të marrin një pikë të rëndësishme në transfertë. Kjo përballë një kundërshtari direkt për “final 4”, por edhe titullin kampion në fund të sezonit.
Vendimtar në këtë pikë të kuqebluve ishte një gol i shënuar nga Kevin Dodaj në minutën e 57-të të duelit. Sulmuesi 19-vjeçar ishte në vendin dhe momentin e duhur për ta dërguar topin në rrjetë. Ku pas një goditje këndi, sfera gjeti kokën e Sales, i cili goditi drejt portë. Me topin e lënë vakant në zonë nga portieri Dobjani, që u shfrytëzua maksimalisht nga Dodaj për ta dërguar në rrjetë.
Ky ishte goli i dytë sezonal për Dodajn dhe i dyti rradhazi, pas atij ndaj Skënderbeut në fitoren 2-0 të javës së 12-të. Në këtë mënyrë numri 22 “kopjon” Balajn dhe Malen. Të cilët janë lojtarët e vetëm tek Vllaznia që kanë gjetur golin në dy apo më shumë ndeshje rradhazi. Balaj madje ka shënuar në 3 takime rradhazi këtë edicion, në fitoret 3-1 ndaj Egnatias, 1-2 ndaj Teutës dhe 2-0 kundër Bylisit.
Edhe Mala po ashtu e ka ripërsëritur dy herë veten e tij duke shënuar rradhazi në fitoret 3-1 kundër Egnatias e 1-2 ndaj Teutës. E po ashtu në barazimin 2-2 kundër Partizanit dhe fitoren 3-4 kundër Tiranës. Tashmë ishte rradha e Dodajt të bënte një gjë të tillë, ku kjo formë dhe këto gola të 19-vjeçarit shpresohet të përmirësohen dhe të thellohen në ndeshjet e ardhshme të Superiores.