Nga Endri ÇINARI

Vllaznia u mposht ditën e djeshme me rezultatin 2-1 në ndeshjen e parë çerekfinale të kupës. Shkodranët pas 10 rezultateve pozitive rradhazi, më në fund shijuan edhe humbjen. Golin e djeshëm në disfatën ndaj Erzenit e shënoi Geralb Smajli. Me një goditje mjaft të bukur nga jashtë zonës.

Për mbrojtësin ky ishte goli i parë këtë sezon me Vllazninë, por edhe i pari si profesionist. Por goli i 21-vjeçarit “pasuron” shifrat e lojtarëve kuqeblu këtë sezon. Smajli u bë lojtari i dhjetë këtë edicion që gjen golin në të gjithë kompeticionet. Këtu duke përjashtuar portierët kuqeblu. Lista nis që nga mbrojtja ku së fundmi u bashkua edhe Smajli.

Stojanovic e ka gjetur golin dy herë këtë sezon në kampionat. E ndërsa kolegu i tij i qendrës së mbrojtjes, Juric ka shënuar në Conference League, në humbjen 3-1 kundër Linfield. Në mesfushë 3 herë e ka gjetur golin Boshnjaku, 2 në kampionat dhe 1 në kupë. Po ashtu edhe Alivoda ka 1 gol në kampionat dhe 1 në Kupën e Shqipërisë.

Mala pavarësisht se ka 4 asist në Superiore nuk ka shënuar asnjë gol. Rrjetën e vetme e ka gëzuar në kupë në fitoren 4-0 kundër Flamurtarit. Përsa i përket sulmit, Balaj mban peshën kryesore me 13 gola në kampionat, 1 në kupë dhe 1 në Conference League. 8 të tillë numëron Gruda, të gjithë në kampionat e ndërsa 1 herë ka gjetur golin edhe Delaj. Dhe mbyll listën e shënuesve deri më tani në këtë sezon, Çoba me 2 gola në Superiore./SHKODRA-SPORT.COM/