Nga Endri ÇINARI

Kevin Dodaj ishte sërish vendimtar me gol për Vllazninë edhe në ndeshjen e fundit kundër Laçit. Ashtu si kundër Elbsanit ku barazoi shifrat në 1-1 pas një goditje me kokë, 19-vjeçari i hapi rrugën fitores së kuqebluve edhe kundër Laçit. Në minutën e 53-të, ai dhuroi një “show” personal për gjithë ata që e ndoqën takimi.

Sulmuesi mori një top thuajse nga mesfusha dhe me disa driblime rradhazi ndaj 3 kundërshtarëve arriti t’i “dehë”. Dhe me një gjuajtje të fortë me të majtën, ai arriti të gjejë goditjen fituese duke mposhtur Dajsinanin për shifrat provizore 1-0-. Një gol për tu vendosur në kornizë ky për Dodajn, që nga ndeshja në ndeshje po tregon se Vllaznia ka fituar një futbollist të së ardhmes.

Ky ishte goli i katërt këtë edicion për numrin 22 të kuqebluve. Duke barazuar në këtë statistikë Esat Malen, i cili po ashtu ka 4 gola të shënuar deri më tani. I vetmi që ka shënuar më shumë se kjo dyshe tek Vllaznia është Bekim Balaj. Me kapitenin e skuadrës që është jo vetëm shënuesi më i mirë i ekipit me 8 gola, por edhe i kampionatit.

Forma e mirë e shfaqur nga Dodaj këtë edicion, por edhe nga Delaj në momentet kur është aktivizuar tregon se Vllaznia tashmë i ka “fituar” dy futbollistë. Të cilët pritet të jenë jo vetëm një bazë e së ardhmes, por pse jo edhe të transferohen në skuadra jashtë vendit. Ku mundësia për të përfituar financiarisht për klubin është e madhe duke parë moshën e re të dy sulmuesve./www.shkodrasport.com/