Nga Endri ÇINARI
Hyri në fushë në pjesën e dytë kundër Partizanit, por arriti t’i jepte një fytyrë tjetër Vllaznisë. Fjala është për Ildi Gruden, i cili i hapi rrugën e fitores kuqebluve ndaj “demave”. Ku me golin e tij në minutën e 51-të ishte vendimtar për 9 herë kampionët e vendit. Dhe madje në fund 25-vjeçari meritoi edhe çmimin si lojtari i ndeshjes.
Ky ishte goli i tretë këtë sezon për Gruden, i cili më parë kishte gjetur rrjetën në fitoret 3-4 ndaj Tiranës dhe 2-1 kundër Teutës. Një sezon me ulje dhe ngritje për ish-sulmuesin e Teutës, që është kushtëzuar nga dy dëmtime të gjata për numrin 7-të. Por ndeshja e fundit e zhvilluar ndaj Partizanit tregoi se shkodrani gëzon një formë të mirë fizike tashmë.
Dhe probelemet me dëmtimet janë lënë pas. Patjetër kjo gëzon shumë stafin e Vllaznisë dhe në veçanti Brdariç. Që shpesh herë ka theksuar se Gruda është një “armë” e fortë për ekipin e tij. Dhe tashmë në një periudhë ku kampionati ka një ngjeshje të ndeshjeve e me shkodranët që po ashtu ndodhen në gjysmëfinalet e kupës së Shqipërisë, mundësitë për të zbritur në fushë do jenë të shumta për të gjithë futbollistët.
Ildi Gruda ishte një nga protagonistët e sezonit të shkuar tek Vllaznia. Ku pas Balajt i cili shënoi 17 gola, ai ishte shënuesi i dytë më i mirë në skuadër me 8 gola. Por një dëmtim i tij në fundin e sezonit të kaluar ndikoi edhe në nisjen e këtij edicioni për 25-vjeçarin. I cili tashmë duket se nga ndeshja në ndeshje po kap formën e tij maksimale.(www.shkodrasport.com)