Goli te Kukësi është një çështje kroato-serbe. Thuhet kështu, pasi dy afrimet e kësaj vere, Edi Basha dhe Luka Milunoviç, duket se janë kthyer në një dyshe e rëndësishme për verilindorët në majën e sulmit, pasi në ndeshjet e fundit kanë marrë skuadrën për dore dhe po i japin fitoret me golat e shënuar.
Rasti më i fundit ishte ai me Egnatian, javën që sapo lamë pas, ku vendosi kjo dyshe fatet e takimit dhe dhënien e një fitoreje të rëndësishme skuadrës, e cila mban aktualisht vendin e dytë në klasifikim. Mirëpo, edhe një javë më parë, pikërisht ndaj kryesuesve të Tiranës, sërish këta dy lojtarë zgjidhën ndeshjen, duke u bërë edhe pikat e referimit të ekipit të Longos në majën e sulmit.
Të dy së bashku kanë shënuar më shumë se gjysmën e golave të ekipit, 10 nga 19, ku sigurisht kryeson Basha me gjashtë gola dhe prin i pari edhe në listën e golashënuesve të kampionatit. Alternativat më të mëdha Longo i ka pikërisht në fazën ofensive, por duket se dyshja Basha-Milunoviç për momentin konsiderohen si të paprekshëm dhe janë dy lojtarët te të cilët italiani ka më shumë besim se do t’i zgjidhin ndeshjen.
Nëse funksionon binomi Basha-Milunoviç mund të thuhet se funksionon në tërësi edhe skuadra, sidomos në fazën ofensive, e cila deri më tani konsiderohet si një armë e fortë e verilindorëve, duke parë që shënon rregullisht. Në fillim Longo nuk i ka preferuar të dy që nga fillimi, kjo për shkak se Milunoviç erdhi vetëm në fundin e merkatos dhe ende nuk ishte në formën më të mirë fizik, por me kalimin e javëve janë bërë stabël në majën e sulmit. Lojtarët kanë shënuar së bashku në tri ndeshje, ndaj Egnatias, Tiranës dhe Laçit.
PRITSHMËRITË – Duke parë ecurinë e kësaj dysheje në sulm edhe pritshmëritë për vazhdimësinë rriten së tepërmi, jo vetëm për ta, por edhe te vetë skuadra e Kukësit. Verilindorët këtë javë luajnë ndaj Kastriotit të vendit të fundit, por kurrsesi nuk pritet të jetë një sfidë e lehtë për ta, sepse kundërshtari do të kërkojë patjetër pikë mbijetese.
Duke parë se skuadra po funksionon, trajneri Diego Longo me shumë gjasa nuk pritet të ndryshojë shumë gjëra në ekip, por t’u besojë të njëjtëve titullarë të ndeshjes së fundit, ku edhe arriti të merrte një fitore me një lojë bindëse.